Site icon Telegrafi

KDI: Punëtorët pa të drejta, përballen me shkelje të rënda në punë

Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2017’’, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) , ka shpalosur raportin “Punëtorët që (s)kanë të drejta”, si një përmbledhje e rasteve të raportuara nga qytetarët në Zyrën për Këshilla Ligjore të KDI-së.

Diskriminimi në konkurse, mos pagesa e pagës dhe kontributeve pensionale, largimet nga puna pa arsye, degradimet në vendin e punës mungesa e efikasitetit në gjykimin e çështjeve që lidhen me punëtorë, konkursi publik si mundësi për punësim partiak etj., janë problemet që adreson ky raport nëpërmjet rasteve konkrete që dëshmojnë për shkelje të legjislacionit të punës.

Shumësia e rasteve dhe ndërlidhja e tyre me të drejtën e punës, ka nxitur KDI-në që të trajtojë më seriozisht çështjen e punësimit, procedurave që aplikohen në punësim dhe ndërhyrjen e korrupsionit, veçanërisht nepotizmit si formë më të shprehur të korrupsionit në punësim, ka thënë drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu.

“KDI do të vazhdojë me programin e saj në dhënien e këshillave ligjore falas për të gjithë dëshmitarët, viktimat dhe sinjalizuesit e korrupsionit. Të gjeturat e raportit përbëjnë obligim për ne që të shtyjmë përpara rekomandime e të iniciojmë veprime që do ta përmirësojnë gjendjen në këtë drejtim”, ka shtuar Kryeziu.

Kurse Florent Spahija nga KDI, theksoi se kriteret diskriminuese të vendosura në konkurse publike, janë një nga format më të shpeshta që KDI ka pranuar si raportim nga qytetarët. “Nga ajo që KDI ka vërejtur, diskriminimi është bërë për shkak të nepotizmit, konfliktit të interesit apo edhe formave tjera korruptive. Në asnjë rast për të cilin KDI ka ofruar këshilla ligjore për palët, institucionet që kanë nuk janë ndëshkuar nga autoritetet e mbikëqyrjes së të drejtave të punëtorëve”, ka thënë ai.

Rastet dëshmojnë për disa kompani private që nuk paguajnë pagat me rregull dhe në kohë. Për më tepër, ato paguajnë më pak se paga mesatare në Kosovë.
Edhe mos pagesa e kontributeve pensionale apo trustit sipas Spahisë është një formë tjetër shpesh e raportuar në KDI. “Përkundër detyrimeve ligjore kompanitë private arrin që punëtorëve të tyre të mos ju paguajnë kontributet pensionale kjo pasi që pagat kryhen me para në dorë”, ka shtuar ndër të tjera ai.

Përkundër faktit se Ligji i Punës apo i Shërbimi Civil ka paraparë kritere se si duhet të bëhet përjashtimi dhe degradimi në punë, sipas tij, shpesh sektori privat dhe ai publik nuk e respektojnë ligjet. “Ka raste kur punëtori për shkak të një fjalosje me kolegë rreth çështjeve banale është hequr nga puna pa kaluar asnjë nga procedurat që Ligji i Punës ka paraparë”, ka thënë ai.

Më tej ka thënë se vonesa e gjykatave në zgjidhjen e çështjeve të natyrave të ndryshme ka bërë që të vonohen edhe çështjet e punëtorëve që janë në gjykim.
Një formë tjetër e shpeshtë e shkeljeve gjatë procedurave të punësimit sipas Spahisë është fiksimi i konkurseve për të favorizuar persona të lidhur me subjekte politike që janë në pushtet. “Në disa raste konkurset janë anuluar nga institucionet mbikëqyrëse të zbatimit të ligjit, por në shumë raste edhe përkundër anulimit, institucioni publik ka vazhduar ta favorizoi personin e tyre dhe konkursin e radhës e ka përshtatur me CV e personit që dëshirojnë ta pranojnë duke mos e pasur parasysh parimin e meritës dhe profesionalizmit”, ka thënë ai.

Po ashtu ka shtuar se KDI nga raportimet ka parë një praktikë të keqe siç është hapja e konkurseve vetëm sa për të plotësuar kriterin ligjor, derisa personat të caktuar janë duke punuar në atë institucion dhe më pas personi i njëjtë pranohet në punë.

Kurse Isa Hasani nga Institucioni i Akovatit të Popullit, ka theksuar se ky institucion mbledh të dhëna lidhur me shkeljet e të drejtave të punëtorëve dhe lidhur me këtë kanë pranuar 42 ankesa nga sektori privat si dhe 228 ankesa nga ai publik. “Në sektorin privat gjendja është shume diskriminuese. Kurse ankesat e sektorit publik kanë të bëjnë me procedurat e punësimit, ndërkaq në sektorin privat nuk ka shumë ankesa lidhur me fillimin e punës pasi që ligji i lë hapësirë shumë sektorit privat në zgjedhjen e punëtorit”, ka thënë ndër të tjera Hasani. /Telegrafi/

Exit mobile version