Site icon Telegrafi

KDI për Projektligjin për Paga: Po tentohet të ketë ndërhyrje, s’ka nivelizim

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se po tentohet të ketë ndërhyrje në Projektligjin për Paga.

KDI gjatë publikimit të raportit “Projektligji për Paga: Tendencë për nivelizim apo ndërhyrje“, ka theksuar se nuk ka nivelizim të pagave.

Hulumtuesja në KDI, Gëzime Hashani potencoi që legjislacioni në fuqi pamundëson uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë mandatit për të cilin ata janë emëruar, përveç nëse kjo arsyetohet nga një situatë e jashtëzakonshme e vështirësive financiare.

“Meqenëse situata ekonomike dhe buxheti në Kosovë janë konsideruar nga ekzekutivi si më pozitivet viteve të fundit, ulja e pagave në sektorin gjyqësor, pavarësisht qëllimit të nivelizimit, nuk plotëson parakushtet ligjore. Për më tepër, bazuar në standardet dhe praktikat ndërkombëtare, edhe pagat në gjyqësor mund të ulen vetëm në kuadër të ulje proporcionale të pagave në gjithë sektorët dhe një standard i tillë do të duhej të reflektoj nga ky Projektligj”, theksoi Hashani.

Në anën tjetër, Albesa Humolli adresoi çështjen e përfshirjes së institucioneve të pavarura në Projektligj, duke potencuar që Projektligji për Paga përmban paqartësi në lidhje përfshirjen dhe pozicionin e institucioneve të pavarura.

Në këtë drejtim, u theksua që është i domosdoshëm respektimi i pavarësisë, rregullimit specifik, natyrës e punës dhe klasifikimit të vendeve të punës brenda këtyre institucioneve. Gjithashtu edhe mos-përfshirja në këtë Projektligj e ndonjërit prej institucioneve të pavarura, si në rastin e AKI-së dhe BQK-së, duhet të arsyetohet për nevojën dhe rezultatin që do të sjellë ky përjashtim.

Tutje, Humolli përmend se mangësi e projektligjit për paga është edhe mungesa e përcaktimit të vlerës monetare të koeficientit. Humolli e sheh si problematike përcaktimin e vlerës së koeficientit nëpërmjet Ligjit vjetor të Buxhetit, meqenëse kjo e cenon parimin e parashikueshmerisë së këtij projektligji. Për më tepër, mosnjohja e vlerës së koeficientit krijon pasiguri juridike edhe tek subjektet të cilat i nënshtrohen këtij projektligji, si dhe pamundëson përcaktimin e kostos buxhetore të vetë ligjit.

Në fund, u ritheksua që në kuadër të përpjekjeve të ekzekutivit për nivelizim të pagave në sektorin publik, duhet medoemos të merren parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por edhe praktikat dhe standardet ndërkombëtare – në mënyrë që të shmanget mundësia që ky projektligj të jetë sërish objekt i shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të shfuqizohet nga po e njëjta. /Telegrafi/

Exit mobile version