Site icon Telegrafi

KDI: Nxjerrja e paligjshme e zhavorrit po degradon mjedisin

Rritja dramatike e aktivitetit të nxjerrjes së zhavorrit nga kompanitë ndërtuese ka shkaktuar dëme mjedisore, me efekte të valëzuara në ekonomitë lokale dhe jetesën.

Kështu u tha sot me rastin e publikimit të raportit final “Kapja e shtetit: Ekonomia Politike e Zhavorrit”, nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Gjatë këtij prezantimi u tha se është ndërtimi i hovshëm i pasluftës në Kosovë, i pasuar me një rritje të madhe të investimeve publike në infrastrukturën rrugore që ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në zinxhirin e vlerave të sektorit të ndërtimit, duke rritur kërkesën për zhavorr-rërë ndërtimi.

Florent Spahija nga ky institut tha se ky aktivitet ka vazhduar për një periudhë të gjatë dhe ka shkaktuar dëme të mëdha.

“Ka mungesë të mekanizmave të kontrollit demokratik që ka shkaktuar dëme shoqërore dhe ekonomike dhe mjedisore. Me rritjen e kërkesës për zhavorr dhe aktivitetet e tilla janë dëmtuar shtretërit e lumenjve, gjë që ka shkaktuar dëme serioze për ekonominë, për njerëzit lokal, madje janë dëmtuar edhe vlera arkeologjike”, tha Spahija.
Sipas tij, politika ka bërë që në organet rregullatorë të jenë njerëzit që e mundësojnë këtë gërmim të zhavorrit. Ai shtoi se një pjesë e madhe e Kosovës është degraduar.

“Shoqëria civile dhe mediat janë treguar mjaft aktive por procedurat gjyqësore dhe prokuroria nuk ka treguar efikasitet”, tha Florent Spahija.

Arben Kelmendi nga KDI tha se e vetmja mundësi është të komunikohet me Qeverinë dhe akterët e saj deri sa të realizohen kërkesat.
“Ne me këtë projekt kemi dashur ta sensibilizojmë qytetarin me problemet që ndodhin në vendin tonë dhe në rajon”, tha Kelmendi. /Telegrafi/

Exit mobile version