Site icon Telegrafi

KDI: Nuk mund të kemi qeverisje të mirë pa financa transparente të subjekteve politike

Në mungesë të kuorumit në Kuvendin e Kosovës sot ka dështuar votimi i Projektligjit për financimin e subjekteve politike.

Lidhur me këtë ka reaguar Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), duke shprehur keqardhje për dështimin e votimit në parim të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike.

“Mungesa e kuorumit gjatë votimit të projektligjeve shpërfaqë mungesë të seriozitetit nga ana e deputetëve, të cilët përmes mospjesëmarrjes në votim gjatë seancave të Kuvendit po dëmtojnë seriozisht funksionimin e jetës parlamentare në Kosovë”, thuhet në reagimin e KDI-së, transmeton Telegrafi.

KDI thotë se mungesa e kuorumit gjatë seancës së sotme dhe dështimi i votimit në parim të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike, do t’i shërbejë dhe më tutje mungesës së transparencës dhe llogaridhënies financiare, cilësisë së demokracisë, si dhe praktikave të mira qeverisëse.

Lexo po ashtu Dështon miratimi i Projektligjit për financimin e partive politike

“Subjektet politike parlamentare – pozitë dhe opozitë – nuk kanë arsye për zvarritjen e mëtutjeshme të këtij projektligji, duke qenë se i njëjti është në përputhje me kërkesat dhe standardet ndërkombëtare, respektivisht Opinionin e Komisionit të Venedikut”.

Andaj, KDI bën thirrje që Projektligji për Financim të Subjekteve Politike të shqyrtohet dhe të votohet në parim sa më parë, duke i hapur rrugë shqyrtimit dhe eventualisht avancimit të tij në periudhën mes dy leximeve. /Telegrafi/

Exit mobile version