Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), prezanton katalogun e çështjeve për komunën e Malishevës, që përfshinë problemet me të cilat përballen qytetarët dhe bën prioritizimin e disa çështjeve esenciale që duhet të përfshihen në planifikimet buxhetore të komunave për vitin 2020.
“Si rrjedhojë e një hulumtimi në terren, në këtë komunë janë identifikuar probleme në infrastrukturën rrugore, rrjetin e kanalizimit, furnizimin me ujë të pijes, transport publik, gjendjen e shkollave, menaxhimin e mbeturinave, çerdhet publike dhe shërbimet shëndetësore.
Në bazë të anketimit çështja e kanalizimit del të jetë e rënduar në pothuajse shumicën e fshatrave dhe lagjeve të komunës së Malishevës.
Ndërsa edhe problemi i ujit të pijës është evidente në shumë fshatra dhe lagje të komunës së Malishevës. Fshatrat dhe lagjet që kanë problem në sasi dhe cilësi të ujit të pijes, apo nuk kanë ujë të pijes janë: Bellanicë, Llapqevë, Panorc, Turijakë, Burim, Astrazub, Dragobil, Carallukë, Guncat, Lladroc, ndërsa në fshatin Tërpezë ekziston lidhja mirëpo fshati ka problem me kompaninë e ujësjellësit nga marrja në menaxhim e këtyre të fundit”, thuhet në njoftimin për media.
Të gjitha detajet lidhur me këto problematika në Komunën e Malishevës, mund t’i gjeni në katalogun e bashkëngjitur në vijim, ndërsa në ditën në vazhdim, KDI do të publikoj katalogun e 6 komunave tjera të hulumtuara.
Për më tepër katalogu i çështjeve është realizuar gjatë periudhës prill-qershor 2019. Përgjatë kësaj periudhe kohore janë vizituar gjithsej 275 vendbanime (fshatra/ lagje). Qëllimi i këtij katalogu është që ta rrisë vetëdijen qytetare dhe institucionale për rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në konsultime publike me zyrtarët komunal. /Telegrafi/