Në pritje të certifikimit të rezultateve nga zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, dhe formimit të institucioneve të reja, Instituti Demokratik të Kosovës (KDI), sot ka lanësuar platformën e dialogut “Kuvendi 2020”, në mes të përfaqësuesve politikë dhe shoqërisë civile, me qëllim që të rrisë debatin mbi transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin e institucionit të Kuvendit.
Sipas njoftimit për media, në funksion të kësaj, KDI publikoi analizën e shkurtër “Tejkalimi i i sfidave të Kuvendit përmes miratimit të Rregullores së re të Punës”.
Sipas KDI, miratimi i Rregullores së re të Punës, përbën një mundësi unike për legjislaturën e re t’i trajtojë me prioritet disa mangësi që e kanë përcjellë punën e Kuvendit në vitet e kaluara.
Platforma 2020, do të jetë në funksion të trajtimit edhe të disa temave tjera në interes të publikut dhe qeverisjes së mirë si: Reforma Zgjedhore, Ligji për financimin e subjekteve politike, Ligji për lobimin dhe Konsensusi për dialogun Kosovë-Serbi.
“Në dy legjislaturat e fundit, Kuvendi ka çaluar në organizimin e punës së tij, gjë që është përkthyer në performancë të dobët të këtij institucioni. Kryesia e Kuvendit nuk është mbledhur me rregull për të caktuar seanca plenare. Shmangiet nga procedurat e parapara në Rregulloren e Punës për shqyrtimin e projektligjeve kanë qenë të shpeshta, ndërsa mekanizmat e mbikëqyrjes parlamentare nuk janë ushtruar në mënyrë efikase. Deputetët kanë abstenuar nga ushtrimi i mandatit të tyre kushtetues, duke mos marrë pjesë në seanca dhe mbledhje të komisioneve, si dhe duke mos marrë pjesë në votim përkundër që kanë qenë të pranishëm në seancë. Të gjitha këto mangësi kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje praktike nga deputetët e ardhshëm të Kuvendit, i cili pritet të ketë rreth 50 deputetë të zgjedhur për herë të parë. Rregullorja e re do të mund të adresonte shumë çështje teknike dhe do ta rriste përkushtimin, disiplinën dhe mbi të gjitha efikasitetin e Kuvendit në ligjbërje, përfaqësim e mbikëqyrje”, thuhet në njoftim.
Alexander Chavarria nga NDI, theksoi se është e rëndësishme dhe urgjente që të ketë një rregullore të re të punës.
Gjithashtu sipas tij është shumë me rëndësi që Kuvendi të sigurohet që qeverisja në të gjitha nivelet të jetë transparente, llogaridhënëse dhe e përgjegjshme.
Chavarria ka thënë se duhet të kuptohet që janë bërë 10 vjet prej kur është miratuar Rregullorja e fundit e Punës, ndërsa ka theksuar nevojën për rishikim të saj në mënyrë që ajo t’i adaptohet kontekstit politik.
“Rregullorja është dokument ‘i gjallë’ që natyrisht duhet të rishikohet të paktën për çdo mandat”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se ekziston një dokument i mirëkonsoliduar në Kuvend dhe sipas tij, jo doemos duhet të ketë vonesa në drejtim të rregullores së re.
Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, ka theksuar se prioritet i Kuvendit të ri duhet të jetë rregullorja e re, në mënyrë që të shmangen pengesat që kanë shoqëruar legjislaturat e kaluara.
Haxhiu ka thënë se pajtohet që legjislatura e fundit nuk ka pasur performancë të mirë dhe se përgjegjësinë e ka Kryesia e Kuvendit.
Sipas saj, ka pasur organizim të çrregullt të punës në përgjithësi teksa ka thënë se krahas kësaj, një pjesë e komisioneve parlamentare kanë bërë punë të mirë.
Haxhiu ka theksuar se duhet të ndodh fuqizimi i rolit të Kuvendit, mekanizmave të tij dhe padyshim edhe fuqizimi i rolit të opozitës.
“Qasja e rregullores nuk duhet të jetë shtypja e opozitës por fuqizimi i saj dhe i Kuvendit”, shtoi ajo.
Ndërsa Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se Kuvendi nuk ka arritur që nga legjislatura e tretë të miratojë rregulloren e re dhe se tani duhet të shihet se si të arrihet konsensusi politik për të.
Zemaj ka theksuar se më e rëndësishmja është që të avancohet me demokratizimin e mëtejmë të raporteve në të gjitha instancat e Kuvendit, funksionalizimin e organeve të Kuvendit, racionalizimin e shfrytëzimit të kapaciteteve dhe racionalizimin kohor.
Dy legjislaturat e fundit sipas tij, kanë lënë shumë për të dëshiruar në çdo aspekt. /Telegrafi/