Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të jetë më transparente për dialogun me Serbinë.
Sipas tyre, vizitat e shpeshta të emisarëve special nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po dëshmojnë për një dinamikë të shtuar në dialog.
Tutje, thuhet se përderisa procesi gjendet në një fazë mjaft delikate, qytetarët e Kosovës janë të painformuar mbi përmbajtjen e takimeve të ndërlidhura me dialogun dhe dakordimet eventuale.
“Diskutimet mbi përmbajtjen e propozimit Franko-Gjerman/Evropian dhe zbatimin e Marrëveshjes së Dialogut mbi Asociacionin janë temat kryesore në debatet mediale, ndërkohë që mungon një debat i strukturuar politik e shoqëror dhe një mostransparencë e theksuar e Qeverisë mbi qëndrimet e saj në raport me këto propozime”, thuhet në komunikatën për media.
KDI vlerëson se duke qenë i mbyllur dhe i reduktuar, ky proces çdo ditë e më tepër po krijon hapësirë për dezinformim, pasiguri dhe ulje të besimit të publikut.
“Informacionet selektive dhe deklaratat e kufizuara të emisarëve ndërkombëtarë mbeten burimet e vetme të informacioneve, ndërkohë që Qeveria po shmang adresimet për publikun. Prandaj Qeveria si mandatare për të udhëhequr dialogun me Serbinë duhet të jetë e hapur dhe ta informojë publikun lidhur me qëndrimet e saj dhe të priturat nga ky proces. Kjo duhet të përfshijë edhe raportimet me vetiniciativë të Kryeministrit në Kuvendin e Kosovës, si institucioni më i lartë përfaqësues”.
“Meqë përmbyllja e dialogut Kosovë-Serbi është çështje e interesit nacional, pritjet tona janë që edhe subjektet politike opozitare të tregohen të përgjegjshme dhe serioze në përpjekjet e tyre për ta mbajtur Qeverinë llogaridhënëse dhe për të ofruar kapacitetet e tyre në formësimin e qëndrimeve sa më konsensuale të palës kosovare”.
Në këtë drejtim, sipas KDI-së opozita përmes praktikave dhe instrumenteve kushtetuese parlamentare, do të duhej të ftonte Kryeministrin në raportim në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, në lidhje me zhvillimet në procesin e dialogut. /Telegrafi/