Telegrafi

KDI kërkon nga qeveria mosndërhyrje; nga gjyqësori efikasitet

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka përcjellë me shqetësim përplasjet e fundit mes Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.

Rasti i dhunimit të një 11 vjeçareje ka risjellë vëmendjen tek problemet me të cilat ballafaqohet sistemi i drejtësisë në Kosovë, ndër të cilat mosndëshkueshmëria dhe trajtimi jo-serioz i lëndëve të ndjeshme janë më akutet.

“Ky rast edhe një herë veçse ka rikonfirmuar nevojën për reformimin e sistemit të drejtësisë në funksion të rritjes së nivelit të llogaridhënies dhe performancës së institucioneve të drejtësisë”.

Megjithatë, KDI konsideron se qasja e Qeverisë së Kosovës ndaj kësaj situate, duke kërkuar shkarkime dhe dorëheqje të akterëve të sistemit të drejtësisë, përbën ndikim në pavarësinë dhe punën e gjyqësorit.

“Kushtetuta e definon qartazi parimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, andaj ndërhyrjet e Qeverisë në forma të tilla cenojnë standardet dhe parimet themelore të demokracisë kushtetuese. Për më tepër, legjislacioni parasheh mekanizma të llogaridhënies ndaj gjyqtarëve e prokurorëve që janë aktualisht rruga e vetme për t’i thirrur në përgjegjësi të njëjtit lidhur me punën e tyre”.

“Në kohën kur vendi është në prag të inicimit të procesit të Vetting-ut në drejtësi, raportet mes institucioneve të drejtësisë dhe ekzekutivit janë tejet të rëndësishme në përmbylljen me sukses të një procesi kaq të ndjeshëm e kompleks, siç është Vetting-u”.

KDI bën thirrje që Qeveria të ndërpresë “tendencat për ndërhyrje në punën e gjyqësorit”, por në anën tjetër edhe “KGJK-ja dhe KPK-ja të përdorin mekanizmat e nevojshëm disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në lidhje me trajtimin jo-adekuat të rasteve”./Telegrafi/