Menaxheri i programit në Institutin Demokratik të Kosovës, Arben Kelmendi theksoi sot se vendosja e rregullave të qarta për lobim është hap i rëndësishëm në forcimin e transparencës dhe kornizës ligjore për luftimin e korrupsionit, andaj vendosja e një kornize ligjore është një pjesë e rëndësishme e shoqërisë moderne demokratike.
Në konferencën për media ku u publikua raporti i shkurtër “Legjislacioni i porositur: A ka ardhur koha për Ligjin për Lobim në Kosovë?”, u tha se të gjitha studimet serioze në fushën e anti-korrupsionit pajtohen në një gjë: një fije shumë e hollë ndanë aktivitetet legjitime të lobistëve gjatë procesit legjislativ dhe presionin që grupet e caktuara të interesit ushtrojnë mbi vendimmarrësit për të kaluar legjislacionin që u shërben interesave të tyre.
“Vendosja e rregullave të qarta për lobim është hap i rëndësishëm në forcimin e transparencës dhe kornizës ligjore për luftimin e korrupsionit, andaj vendosja e një kornize ligjore është një pjesë e rëndësishme e shoqërisë moderne demokratike. Lobimi i rregulluar me ligj rrit transparencën në sektorin publik dhe rregullon marrëdhëniet midis grupeve të ndryshme të interesit, lobistëve, mbajtësve të zyrës publike dhe politikanëve, gjë që kontribuon në funksionimin më të mirë të administratës shtetërore”, theksoi Kelmendi.
Ai po ashtu theksoi se korrupsioni, si formë e keqpërdorimit të pushtetit të besuar për interesa personale, konsiderohet sfida më e madhe me të cilën ballafaqohet shoqëria kosovare në përpjekjet e saja për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Kelmendi ka informuar se KDI po zbaton projekt së bashku me pesë shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor që ka si objektiv edhe të kuptuarit drejt të shkallës së përhapjes së dukurisë së ashtuquajtur “legjislacioni i porositur” në rajonin e Ballkanit dhe lidhjeve të mundshme ndërmjet rasteve të ngjashme në këto shtete.
Ky legjislacion i përpiluar dhe miratuar për t’i shërbyer interesave të caktuara të një personi apo rrjeti të ngushtë të personave të lidhur në një sektor si një praktikë e tillë ka thënë se është korruptive dhe synim kryesor e ka “legalizimin e korrupsionit” duke i siguruar “mburojë ligjore” veprimeve të tilla negative.
“Instituti ka analizuar disa akte ligjore dhe nënligjore si raste të dyshimta të legjislacionit si: projektligjin për financimin e subjekteve politike, projektligjin për lirinë e asociimit, udhëzimin administrativ për homologimin e automjeteve dhe udhëzimin administrativ për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike”, ka shtuar ai.
Sipas tij, përvojat e vendeve në Ballkan tregojnë se zbatimi i mirëfilltë i këtyre ligjeve kërkon një kohë të caktuar për zbatim në praktikë.
Ai ka treguar se në Maqedoni, aktivitetet e organizatave joqeveritare dhe grupeve të qytetarëve kanë luajtur një rol të rëndësishëm në miratimin por edhe në ndryshimin e mëvonshëm të ligjit për lobim, kurse në Slloveni dhe Mal të Zi, ky ligj është treguar pjesë e rëndësishme e kornizës ligjore për luftimin e korrupsionit në procesin e vendimmarrjes publike.
Kelmendi ka vlerësuar se lobimi është veprimtari e ligjshme dhe pjesë e rëndësishme e procesit demokratik.
“Në një shoqëri demokratike gjithmonë ekziston interesi publik për të siguruar proces lobimi transparent dhe me integritet të plotë. Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se në Kosovë janë pjekur kushtet që kjo fushëveprimtari të definohet qartë me kornizë ligjore dhe propozon rekomandimet në vijim të cilat do të duhej t’i kishte parasysh iniciativa për përpilimin e ligjit”, tha ai. /Telegrafi/