Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), gjatë një konference për media ka prezantuar sot rezultatet e sondazhit të tretë për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: “6 Vite pas (mos) konsolidim i shtetësisë: këndvështrimi i qytetarëve rreth dialogut Kosovë-Serbi”.
Në këtë sondazh KDI ka adresuar çështjet kryesore dhe më të debatuara në vend rreth këtij procesi që lidhen me shtrirjen e sistemit të drejtësisë në tërë territorin e vendit, shpërbërjen e strukturave paralele serbe, shtrirjen e sovranitetit të institucioneve të Kosovës në tërë territorin e vendit si dhe ndikimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në marrëdhënien ndëretnike.
Me këtë rast, Jeta Krasniqi nga KDI, ka bërë prezantimin e të gjeturave kryesore të këtij sondazhi sipas të cilave, pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës, përkatësisht 46% e tyre, vlerësojnë se asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të ndikojë në përkeqësimin e raporteve ndëretnike.
“Gjysma e qytetarëve të Kosovës, përkatësisht 51%, vlerësojnë se dialogu Kosovë-Serbi nuk ka ndikuar që Kosova të shtrijë sovranitetin e saj në veri të vendit. Janë vetëm 4% e qytetarëve që vlerësojnë se dialogu Kosovë-Serbi ka pasur ndikim në këtë aspekt”, ka thënë ajo.
Bazuar në matjet e opinionit, gjysma e qytetarëve të Kosovës, përkatësisht 48% e tyre, vlerësojnë se strukturat paralele serbe në Kosovë të financuara nga shteti i Serbisë nuk janë shuar. Po ashtu qytetarët e Kosovës në nivel të lartë, përkatësisht 58% e tyre, vlerësojnë se marrëveshja për drejtësi nuk do të jetë e suksesshme për të integruar gjykatat e veriut në sistemin gjyqësor të Kosovës.
KDI rekomandon që Marrëveshja e drejtësisë e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të bëhet publike për qytetarët dhe që Qeveria dhe institucionet e drejtësisë në mënyra aktive të angazhohen për të rritur transparencën rreth Marrëveshjes së Drejtësisë ndaj qytetarëve që preken nga kjo marrëveshje, ndaj publikut të gjerë si dhe ndaj zyrtarëve të sistemit të drejtësisë të cilët do të operojnë në kuadër të kësaj marrëveshjeje.
“KDI i rekomandon Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që procesi i zbatimit të marrëveshjeve të jetë më transparent për qytetarët e Kosovës dhe të ketë informim sistematik mbi shkallën e zbatueshmërisë së marrëveshjeve dhe efekteve të tyre të pritshme në terren. Po ashtu Qeveria duhet të shtoj angazhimin e saj konkret për të shuar strukturat paralele serbe të financuara nga shteti i Serbisë në të gjitha fushat në tërë territorin e vendit”, ka shtuar Krasniqi.
Njëkohësisht ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme për të garantuar shtrirjen e sovranitetit të shtetit në tërë territorin e vet.
KDI vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të garantojë një qasje gjithëpërfshirëse dhe një transparencë të plotë për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke shtjelluar në detaje kompetencat e këtij mekanizmi, dhe duke garantuar një debat të mirëfilltë shoqëror rreth efekteve të tij. /Telegrafi/