Site icon Telegrafi

KDI: 43 për qind e qytetarëve të painformuar për marrëveshjet e Brukselit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin “Transparenca e dialogut Kosovë -Serbi: Këndvështrimi i qytetarëve”, i cili reflekton të gjeturat e hulumtimit të opinionit publik rreth transparencës, llogaridhënies dhe informimit të përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës rreth procesit të dialogut.

Në një njoftim për media thuhet se ky hulumtim trajton njohuritë e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës rreth marrëveshjeve të arritura në Bruksel, nivelin e kënaqshmërisë së  tyre me punën e deputetëve në mbikëqyrjen e Qeverisë në procesin e dialogut, kënaqshmërinë  e qytetarëve në  përfshirjen e tyre në këtë proces, dhe gatishmërinë për të kontribuar për temat e dialogut si dhe akterët kryesorë që mbajnë përgjegjës për informimin e tyre.

“Përkundër faktit që disa tema të dialogut kanë dominuar skenën politike në vend, sidomos vitin e fundit, të gjeturat e këtij hulumtimi të opinionit vërtetojnë që qytetarët e Kosovës në shkallë të lartë, praktikisht janë të painformuar rreth marrëveshjeve (43%) të cilat janë arritur deri tani në kuadër të procesit të dialogut Kosovë – Serbi. Rreth 76% të tyre janë të pakënaqur me mbikëqyrjen që Kuvendi përgjithësisht ushtron ndaj Qeverisë në këtë proces. Për më tepër ata janë të pakënaqur me nivelin e përfshirjes së tyre (75%) ndërsa shprehin hezitim për t’u përfshirë në të ardhmen në këtë proces (57%). Në bazë të këtij sondazhi, në përgjithësi qytetarët presin të informohen më shumë në radhë të parë nga Qeveria dhe më pas nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në njoftim të KDI-së.

Më tej thuhet se KDI vlerëson se Qeveria dhe Kuvendi si bartëse të këtij procesi duhet të  ndërmarrin një  sërë  masash për të  rritur transparencën, për të shtuar llogaridhënien institucionale ndaj qytetarëve, për të ndërtuar konsensus shoqëror dhe politik për procesin e dialogut, për të  garantuar pjesëmarrjen e qytetarëve në këtë proces, duke artikuluar qartë efektet praktike që ky proces sjell në jetën e qytetarëve.

“Ky raport është realizuar në kuadër të projektit “Forcimi i mbikëqyrjes parlamentare të ekzekutivit dhe rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve në dialogun Kosovë – Serbi”, financuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës”, thuhet në fund të njoftimit.

Exit mobile version