Site icon Telegrafi

KBM nuk heq dorë nga vendosja e kryqit në Butel

Siç kanë bërë të ditur mediat në Maqedoni, kryetari i Kongresit botëror maqedonas, Todor Petrov ka thënë se për një kohë të shkurtër do të vazhdojnë punimet për vendosjen e kryqit në hyrje të Butelit, edhe pse disa muaj më parë kishte reagime të shumta si dhe u organizuan protesta kundër vendosjes së kryqit 55 metrash, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Vendimi ekziston në organet kompetente dhe sipas ligjit mendojmë se në një afat të shkurtër do të, realizohet, shpresojmë që kur do plotësohen kushtet do të fillojnë punimet e mbetura”, ka thënë Petrov.

Por ai ka hezituar të komentojë projektin tjetër të paralajmëruar për vendosjen e përmendores së rilindësit shqiptar Fan Noli, të cilin ai e kishte paralajmëruar më herët si një simbol pajtimi.

“Kongresi Botëror Maqedonas merr iniciativë për ndërtim të përmendores të  Fan Noli, themelues i kishës ortodokse maqedonase të vitit 1924 në kufirin mes komunave Çair dhe Butel, si shenjë e dorës së shtrirë për bashkëjetesë në të dy komunat”,  kishte thënë para do kohësh Petrov.

Përndryshe “Kryqi në Butel” është në procedurë në gjykatën Kushtetuese, pas iniciativës së dorëzuar nga kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela për vlerësimin e kushtetutshmërisë së  vendimit të Komunës së Butelit.

Gjykata kushtetuese akoma nuk e ka vendosur këtë çështje në rend dite, por ka paralajmëruar se për këtë iniciativë do të diskutojnë pas pushimeve verore./Telegrafi/

Exit mobile version