Telegrafi

KB Vëllaznimi kryen përgatitjet e fundit në prag të fillimit të edicionit të ri në basketbollin kosovar

Pas përfundimit të Superkupës së Kosovës në basketboll, këtë fundjavë do të rikthehet në aksion edhe Superliga e Kosovës në basketboll.

Të gjitha ekipet që do të garojnë në këtë edicion në Superligë, kanë kryer përforcimet e tyre, në mënyrë që të jenë sa më të përgatitura për sezonin 2024/2025 të elitës së basketbollit në vendin tonë.

Branimir Paviç, që është kryetrajneri i ekipit të Vëllaznimit, në një intervistë për Telegrafin tha që aktualisht përgatitjet e ekipit po ecin mirë.

“I kemi filluar përgatitjet para 3 javësh, dhe aktualisht çdo gjë po shkon mirë, po stërvitemi dy herë në ditë, dhe po përpiqemi të jemi gati për sezonin e ri. Edhe pse jemi pak me vonesë sepse disa nga basketbollistët amerikanë kanë ardhur më vonë, por sa më shumë kohë që kalon do të bëhemi ekip më i mirë”, potencoi Paviç.

Ndërsa për Telegrafin foli edhe kapiteni i ekipit, Atik Koshi, për të cilin është edicioni i katërt që është pjesë e skuadrës nga Gjakova, tha që pavarësisht prurjeve të reja në ekip, ekipi ka arritur që të komponohet mjaft mirë.

“Kemi arritur të përshtatemi shumë mirë si ekip, veçanërisht javën e fundit, sepse pas ndeshjeve miqësore jemi përgatitur më shumë, si dhe ndeshjen e Superkupës që e kemi zhvilluar me Prishtinën në të cilën nuk arritëm ta realizojmë qëllimin tonë, fitoren. Por tashmë jemi komponuar më mirë dhe tani po e presim ndeshjen me Pejën”, deklaroi Koshi.

20 muaj, ishte periudha në të cilën Don Polloshka ishte jashtë parketit, për shkak të ndërhyrjeve që kishte në gju, pas lëndimit që pësoi në fillim të sezonit 2022/2023. Ai foli rreth asaj se sa i kishte munguar basketbolli gjatë kësaj periudhe.

“Mungesa për basketboll ka qenë e madhe, pasiqë çdo ditë kam shikuar basketboll rreth 3 – 4 orë në ditë, kështu që nuk kam çfarë të them më shumë”, tha Polloshka.

Materialin e plotë rreth KB Vëllaznimi mund ta ndiqni më poshtë. /Telegrafi/