Sot u bë nënshkrimi i ripërtëritjes së marrëveshjes me klubin më të suksesshëm të basketbollit në vendin tonë KB Prishtina me agjencinë kreative “Trokit”.
Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori klubit z. Florian Miftari dhe bashkëpronari i “Trokit”, z. Besart Gërguri. E kjo falë bashkëpunimit të suksesshëm gjatë këtyre katër viteve të fundit.
Me rastin e nënshkrimit të kontratës së re, z. Gërguri u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin me kryesinë e KB Prishtinës. Ai, për sezonin e ri, u premtoi origjinalitet si në vitet e shkuara të bashkepunimit, duke pasur parasysh faktin se fama e klubit bardhekaltër në skenën ndërkombëtare është duke u rritur në vazhdimësi.
Ndër të tjera ai u shpreh se agjencia “Trokit” është duke punuar intensivisht në dizajnimin e të gjitha materialeve të marketingut që janë të nevojshme për startimin e klubit në gjitha garat ku merr pjesë.
Në anën tjetër, drejtori i klubit z. Florian Miftari e çmoi lart bashkëpunimin me agjencinë kreative “Trokit” si dhe nuk e fshehu kënaqësinë e tij në lidhje me përvojën e shkëlqyeshme që klubi ka me këtë agjenci. Sipas tij, kjo agjenci ka arritur që ta prezantojë klubin që ai e drejton në mënyrë briliante në arenën ndërkombëtare dhe në atë vendore.
“Trokit” edhe këtë vit ka obligim që ta menaxhojë marketingun e KB Sigal Prishtina; të përkujdeset për shërbimet grafike dhe promot e klubit, të ridizajnojë veshjet e lojtarëve, të bëjë foto-sesionet gjatë tërë sezonit, t’i prezantojë lojtarët për qëllime reklamimi, etj.