Telegrafi

Kazerma “Adem Jashari” hapet për qytetarët, këta kërkojnë më shumë investime nga shteti për ushtrinë

Në Ditën e Forcës, qytetarë të shumtë patën mundësi që të vizitojnë kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë. Aty u ekspozuan armët e mjetet që kanë në dispozicion pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, derisa qytetarët kishin ardhur të veshur e të pajisur me simbole kombëtare. Nga kjo kazermë vizitorët u bënë thirrje institucioneve që të investojnë sa më shumë në FSK.

Nën tingujt e këngëve patriotike, e të pajisur me simbole kombëtare, shumë qytetarë zgjedhën kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë për të vizituar.

Për nder të Ditës së Forcës, Ministria e Mbrojtjes e Forca e Sigurisë së Kosovës, kanë organizuar “Ditën e Hapur”, ku vizitorët kanë pasur mundësi që për 3 orë të vizitojnë kazermën dhe të shohin nga afër pajisjet e FSK-së.

Ky aktivitet, po u pëlqen qytetarëve që erdhën këtë të diel në këtë kazermë.

“Po na pëlqen shume se, forca e sigurisë së Kosovës si ushtria jonë, është një garant për sigurinë e shtetit tonë, dhe përpjekja jonë duhet me qenë maksimale, për të avancuar këtë forcë, sidomos në pajisje shtesë”, ka theksuar Kasumi.

I mbështjellë me flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, erdhi edhe Arit Hasani, i cili tregoi pse veproi kështu.

“E kam babin ushtarë edhe për atë kam ardhur. Shumë mirë po doket edhe po më pëlqen shumë”, është shprehur Hasani.

Në mënyrë të organizuar, ndër vizitorët e shumtë ishin edhe nxënësit e shkollës fillore të fshatit Gllobar të Drenasit.

“Kjo iniciativë ka qenë nga ana e mësimdhënësve, kanë pasur në plane, ky është aktivitet jashtë kurrikular, për me pa forcën e sigurisë me u informuar më në detaje për gjërat e forcës së sigurisë, aktivitetet e tyre që i zhvillojnë ditën e sotme dhe për ditën e Flamurit”, ka thënë Dovrani.

Krenarë po ndihen edhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, të cilët po u sqarojnë qytetarëve për mjetet që kanë ekspozuar.

“Në FSK jam që 13 vite dhe e mbaj me nder dhe krenari këtë uniformë, për arsye se siç e dimë, FSK-ja është pasardhëse e Ushtrisë Çlirimtare, edhe për neve është nder dhe krenari me mbajtur këtë uniformë”, ka thënë Morina.

27 nëntori në Kosovë shënohet si dita e forcës, derisa tash e 4 vite Kuvendi i Kosovës, ka miratuar projektligjet që i hapin rrugë transformimit të FSK-së, në ushtri.

Forca e Sigurisë së Kosovës, ka rreth 10 mijë ushtarë aktivë dhe rreth 5 mijë rezervistë, derisa buxheti i vitit të ardhshëm për ushtrinë pritet të jetë 123 milionë euro./RTV Dukagjini/