San Antonio Spurs mbetet një prej skuadave me basketbollin më të mirë në botë, që jo rrallë herë e ka bërë të shquhet si “Barcelona e basketbollit”.
Basketbolli atraktiv me shumë pasime, loja ekipore që demonstron klubi nga qyteti i vogël i San Antonios, e ka bërë atë që të jetë në fakt një lloj fole e basketbollit modern, sidomos në 30 vitet e fundit.
Dhe ikona pa dyshim ka qenë Tim Duncan, i pensionuar në qershor, i cili fitoi pesë trofe me klubin nga Teksasi.
Sidoqoftë, kur trajneri Gregg Popovich e shkëmbeu George Hill për Kawhi Leonard i cili fillimet i kishte te Indiana Pacers, të gjithë u çuditën dhe e konsideruan si të çmendur një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e këtij sporti.
Në fakt, zgjedhja e Gregg Popovich u duk se ishte e duhura qysh në vitin 2014 kur djaloshi atëkohë 22 vjeçar arriti të ndalë superyllin LeBron James, duke s’pastruar Miami Heat drejt një triumfi të radhës për Spurs, trofeun e pestë në histori.
Ai që ka dy vite rresht që po zgjidhet si lojtari mbrojtës më i mir në NBA, tash sezonin e ri ka bërë një hap para në lojën e tij ofensive.
Stërvitjet gjatë verës me metoda bashkëkohore kanë përmirësuar agresivitetin e Kaëhi Leonard në fazën e sulmit.
Ai ka arritur një rekord të rëndësishëm prej 950+ pikëve në 41 ndeshjet e para të një sezoni, i vetmi lojtar që ka arritur ta bëjë këtë në histori të San Antonios, natyrisht pas Tim Duncan i cili këtë shifër arriti në sezonin 2002-2003.
Supremacia ofensive e Leonard u vërejt sidomos në pesë ndeshjet e fundit.
Në pesë ndeshjet e fundit superylli i San Antonios, i cili dallohet për modestinë e tij si brenda ashtu edhe jashtë fushe, ka arritur të shënojë 30+ pikë, me 39 pikë të realizuara ndaj Phoenix Suns në Meksiko City, që ishte edhe numri më i madh i pikëve të realizuara në karrierën e tij.
Popovich e ka gjetur zëvëndësuesin e duhur të Tim Duncan në kohën më të mirë të klubit, kur të gjithë menduan se me epokën e legjendarëve që po shkon drejt fundit, edhe epoka e sukseseve të San Antonios po ashtu po merr fund, një konstatim ky që është i gabuar dhe që po vërehet më shumë se kurrë këtë sezon.
Edhe pse pak po flitet për San Antonion, ata mund të jenë befasia e këndshme e këtij sezoni, pasi që pritet të jetë i vetmi ekip që mund të kontestojë supremacinë e Golden State Warriors me brendin tradicional të basketbollit që bën mrekullira – lojën ekipore.
E derisa të vijë koha e playoffit për të parë këtë, është momenti të shijojmë Leonardin, i cili bën shumë për ekipin, dhe sakrifikon shumë, modestia e të cilit po shpaguhet në dobi të ekipit dhe jo në dobi të tij personale që me do e mos të jetë një MVP.
Ai tashmë është MVP, por për klubin e bashklojtarët e tij!
/Telegrafi/