Telegrafi

Kavaja: Qeveria e shantazhuar e thelloi ndarjen e “Trepçës“

Lënia e kombinatit “Trepça” nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit edhe për tre vjet nuk është zgjidhje e mençur sepse do ta çojë këtë ndërmarrje drejt shkatërrimit, thotë ish-drejtori i “Trepçës”, Burhan Kavaja.

Sipas tij, kjo politikë menaxhuese e ka sjellë ndërmarrjen në këtë situatë me tendencë që ajo të përkeqësohet edhe më shumë.

Sipas tij, nuk qëndron arsyetimi se për shkak të borxheve janë tërhequr nga vendimi fillestar për ta bërë “Trepçën” publike. Për të, pjesa më e madhe e borxheve që pretendohen nga Serbia e kompanitë e huaja janë fiktive, pasi nuk janë përdorur dhe investuar në “Trepçë”.

Kavaja thotë se “Trepçën”, përveç Serbisë, e ka mbajtur peng edhe mafia që operon edhe në pjesën veriore e edhe në atë jugore.

Kavaja në “Trepçë” dhe rreth saj i ka kaluar 51 vjet. Nga viti 1964 ka punuar si inxhinier, drejtor teknik, inspektor e kryeinspektor i minierave të Kosovës. Ka qenë edhe ligjërues i lëndëve që kanë qenë të lidhura me “Trepçën”, pastaj drejtor i minierave të Kishnicës, Stantërgut, si dhe drejtor i Minierës dhe Flotacionit. /Koha Ditore/