Katie Cassidy ka bërë të ditur se e kishte refuzuar mundësinë që të lidhej me princin Harry në të kaluarën.
Anëtari i familjes mbretërore britanike është fejuar me aktoren amerikane, Meghan Markle, me të cilën do të martohet gjatë këtij viti.
Ndërsa ylli i serialit “Arrow” ka bërë të ditur se po të kishte shkuar ndryshe një natë në Miami në vitin 2014, do të ishte Katie ajo që do të drejtohej drejt altarit me princin.
“Isha atje me disa shoqe të mia, i kishim përfunduar xhirimet (‘Arrow’), ishim për pushime. Ai kishte ardhur me disa miq të tij… njëri prej miqve të tij më duket se po martohej, prandaj ai ishte pjesë e ndejës së beqarisë”.
“Ata na thanë: ‘Hej, duhet të vini me ne të dalim bashkë”, ka treguar Cassidy, transmeton Daily Mail.
Aktorja 31-vjeçare, e cila është vajza e Sherry Williams dhe David Cassidy, e kishte refuzuar shansin që të shoqërohej me princin, sepse nuk dëshironte që paparacit ta fotografonin në shoqërinë e tij.
“Me gjithë respektin për princin Harry, por gjëja e fundit që dua është që të më fotografojnë”.
“Jo që kam diçka kundër tij, ai është i mrekullueshëm dhe i dashur, por unë jam një femër që dua të njihem falë meritave të mia, jo vetëm si vajza e dikujt (aktorit David Cassidy) apo e dashura e Harryt. Unë kam identitetin tim”, ka shpjeguar Katie. /Telegrafi/