Telegrafi

Katër të vrarë në Ohio – një person ‘i armatosur dhe i rrezikshëm’ është ende në kërkim

Katër persona u qëlluan për vdekje në një lagje të Ohajos dhe një burrë i konsideruar i armatosur dhe i rrezikshëm ende është në kërkim.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, policia në Butler Township të Montgomery County tha se oficerët u thirrën në zonë pak para mesditës të së premtes pas një raporti për të shtëna.

Shefi John Porter bëri të ditur se katër viktima me plagë me armë zjarri u gjetën në “skenat e shumëfishta të krimit” dhe të gjithë u shpallën të vdekur në vendngjarje.

Policia shtoi se po kërkonte 39-vjeçarin Stephen Marlow, i cili besohej se ishte larguar nga zona me një automjet sportiv.

Ata paralajmëruan këdo që e sheh atë ose automjetin të telefonojë 911 “dhe të mos i afrohet atij pasi ai ka ende gjasa të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm”.

Porter tha se policia nuk beson se ka ndonjë kërcënim të vazhdueshëm për lagjen, por oficerët do të qëndrojnë në zonë në rast se ai kthehet.

Emrat e viktimave nuk janë bërë ende të ditur dhe Porter tha se nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë çoi në të shtënat.

“Ne po punojmë për të përcaktuar nëse ka ndonjë motiv për këtë tragjedi të tmerrshme apo nëse sëmundja mendore ka luajtur ndonjë rol”, tha Porter.

Ai i quajti të shtënat “krimi i parë i dhunshëm në këtë lagje në kujtimet e fundit”. /Telegrafi/