Loja PlayerUnknown’s Battlegrounds është ndër lojërat më të popullarizuara në botë për momentin, ku edhe ka thyer rekordin e më së shumti lojtarëve që kanë luajtur në të njëjtën kohë (3.3 milionë).
Normalisht kjo lojë po pëlqehet jashtëzakonisht shumë edhe nga të rinjtë e Kosovës, të cilët janë me mijëra që luajnë PUBG gjatë ditës, shkruan Telegrafi.
Megjithatë, interesantja nuk qëndron te fakti se kjo lojë pëlqehet nga të rinjtë e Kosovës, por te fakti se disa prej tyre kanë arritur të aftësohen aq shumë, saqë po arrijnë të kualifikohen edhe në turnire ku marrin pjesë lojtarët më profesionistë në botë.
Një rast i tillë është turniri ‘DreamHack PUBG SHOWDOWN’, ku po marrin pjesë katër të rinj nga Prishtina, e të cilët janë të vetmit shqiptarë në botë që kanë arritur kaq larg.
Në këtë turnir do të marrin pjesë ekipe nga Evropa, Amerika Veriore, Amerika Jugore, etj., ndërkaq finalet do të zhvillohen nga data 1 deri më 3 qershor të këtij viti.
Sot (28 prill) do të mbahen fazat kualifikuese, ku ekipi nga Kosova, ‘eSportsKosova’, do të luajë në ora 18:00.
Ekipi ‘eSportsKosova’ përfaqësohet nga:
– Raif ‘raphaa’ Brajshori
– Luan ‘THELIONK1NG’ Abazi
– Gentrit ‘kira’ Kurshmuliu
– Fisnik ‘PabloEscobare’ Mehmeti
Në një intervistë për Telegrafin, përfaqësuesi i ekipit, Raif Brajshori, ka thënë se përkushtimi i madh i katër lojtarëve ka bërë që të arrijnë kaq larg, ndërkaq e ka falënderuar Hajrullah Makollin për kontributin dhe ndihmën e vazhdueshme.
Vlen të ceket se ekipi nga Kosova nuk ka përkrahje institucionale e as private, dhe pajisjet të cilat ua mundësojnë atyre një performancë të mirë kanë kosto të lartë, andaj edhe duhet të bëjnë çdo gjë me vetë-financim.
Përndryshe, turniri është i sponsorizuar nga Monster Energy and CORSAIR, dhe shpërblimi për vendet e para është 100,000 dollarë – ndërkaq për ta shikuar lojën e sotme nga ora 18:00, klikoni KËTU. /Telegrafi/