Telegrafi

Katër të arrestuar për rastin e konfiskimit të 113 kilogramë heroinë

Policia e Kosovës gjatë konferencës për media ka folur edhe në lidhje me konfiskimin e 113 kilogramë substance narkotike të llojit heroinë, operacion ky që është kryer dje.

Drejtori i Departamentit për Hetime, Riza Shillova ka thënë se janë të arrestuar katër persona të involvuar në këtë rast.

“ Kemi katër persona të arrestuar të gjithë janë shtetas shqiptarë, do të thotë të Shqipërisë, ka të dyshuar edhe nga Kosova, megjithatë rasti do të vazhdojë akoma të hetohet më tutje, nuk mund të jap detaje më tutje për të dyshuarit për këtë rast, por në vazhdimësi ne kemi aktivitete hetuese në raport me këtë grup kriminal dhe me grupet tjera paraprake të cilat janë arrestuar javëve të kaluara, por kjo është sa i përket shtetësisë së personave të cilët janë involvu në këtë rast”, ka thënë Shillova.

Drejtori i Departamentit për Operacione, Afrim Ahmeti në këtë konferencë ka prezantuar edhe statistikat e veprave penale gjatë këtij viti, në krahasim me vitin paraprak.

Ahmeti tha se numri i veprave penale ka shënuar rritje.

“Numri i veprave penale në këtë periudhë kohore ka pasur një rritje për 3,52 përqind, ndërsa numri i rasteve në përgjithësi të raportuara është në rënie për – 2,27 përqind. Nga të gjitha këto vepra penale kisha përmend, vrasjet ka një ulje minus 33 për qind, lëndim i rëndë trupor ka qenë numër i njëjtë sikur në vitin 2017 ashtu edhe në vitin 2018, lëndim i lehtë trupor gjithashtu është pothuajse njëjtë. Vjedhjet kanë shënuar një rritje për 1, 22 për qind, vjedhjet e rënda ka zbritje për -8, 33 për qind, grabitjet 30 kanë qenë në nëntor të viti 2017, ndërsa 31 në nëntor të vitit 2018 apo 3, 33 për qind. Protestat 12 kanë qenë në nëntorin e vitit 2017, 28 në nëntor të vitit 2018”, tha Ahmeti.

Drejtori i departamentit për kufi , Shaban Guda, u shpreh se në kufirin e Kosovës, kanë hyrë 1 milionë e 550 mijë persona, ndërsa në konferencë është bërë e ditur se deri më tani janë shpenzuar 85 përqind të buxhetit. /KP/