Site icon Telegrafi

Katër sulmuesit që mund të nënshkruajnë për Arsenalin pas lëndimit të Havertz

Arsenali po ballafaqohet me mundësinë për të luajtur në vazhdim të sezonit në Ligën Premier pa një sulmues qëndror pas lëndimit të rëndë të Kai Havertz. 

Raportimet sugjerojnë se reprezentuesi gjerman do ta humbasë pjesën e mbetur të sezonit, duke lënë Mikel Artetan pa sulmues pas lëndimit të Gabriel Jesus në janar. 

‘Topçinjtë’ kishin shprehur interesimin e tyre për transferimin e një sulmuesi gjatë janarit, por dështuan që të arrijnë ndonjë marrëveshje. 

Marrëveshjet për Alexander Isak dhe Benjamin Sesko nuk ishin asnjëherë të mundura në mes të sezonit, teksa klubi u refuzua nga Aston Villa pas ofertës për Ollie Watkins. 

Lexo po ashtu Lajm katastrofik për Arsenalin: Ylli kryesor i ekipit humb sezonin shkaku i lëndimit

Sidoqoftë, Arsenali mund të fokusohet në tregun e lojtarëve pa kontrata për të nënshkruar me ndonjërin prej tyre përkohësisht. 

Ndonëse asnjëri prej tyre nuk është në kulmin e karrierës, këta janë katër veteranët tek të cilët Arsenali mund të kthejë sytë.

1. Diego Costa

Costa ka shënuar tetë gola në 26 ndeshje në të gjitha garat vitin e kaluar, por problemet me lëndime bën që ai të largohet nga Gremio. 

Gjatë kohës sa ishte pjesë e Chelseat, ai shënoi 59 gola në 120 paraqitje duke ndihmuar ata të shpallen kampion dy herë.

2. Mariano Diaz

Sulmuesi nga Republika Dominikane ka mbetur pa klub qysh prej fundit të sezonit të kaluar pasi dështoi të shënojë në 13 paraqitje në të gjitha garat.

3. Maxi Gomez

Opsioni më i ri në moshë me vetëm 28 vjet mbi supe, Maxi Gomez ka mbetur pa klub që prej largimit nga Trabzonspor verën e kaluar. 

Gomez kishte shënuar shtatë gola në 34 ndeshje në sezonin 2022/2023 për klubin turk. 

4. Wissam Ben Yedder

Wissam Ben Yedder është me shumë mundësi opsioni më i mirë nga të lartpërmendurit pasi ka shënuar 20 gola në të gjitha garat për Monacon sezonin e kaluar. 

Në total, 34-vjeçari ka shënuar 282 gola në 555 paraqitje, duke përfshirë 118 në 201 ndeshje gjatë pesë sezoneve tek Monaco./Telegrafi/

Exit mobile version