Kryeministri Albin Kurti, para gazetarëve ka dhënë detaje për takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel, në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve.
Në propozimin e parë Kurti tha se ka kërkuar që ‘gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në’.
Propozimi i dytë;
“Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty”.
Propozimi i tretë;
“Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi”.
Propozimi i katërt;
Kurti, në propozimin e katërt duke folur për të pagjeturit tha se ia ka përmendur Vuçiqit dy serbë Veljko Odaloviqin dhe Zoran Angjelkoviqin lidhur me njohuritë që këta dy kanë për personat e zhdukur me dhunë gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Veljko Odaloviqi ka qenë udhëheqësi kryesor jugosllav në Kosovë pas vitit 1997, ndërkaq tani mban postin e Presidentit të Komisionit për Personat e Zhdukur në qeverinë e Serbisë.
Kurse Zoran Angjelkoviq ka shërbyer si President i Këshillit Ekzekutiv të Përkohshëm për Kosovën nga viti 1998.
“Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me Zoran Angjelkoviq”.
Kuri theksoi se për propozimin e tij të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan.
“Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, Vuçiq dhe Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”, u shpreh Kurti
Ndërkaq në fund tregoi se nuk është pajtuam për agjendën e dialogut të ardhshëm./Telegrafi.