Telegrafi

Katër lojtarë të Barcelonës në rrezik për të humbur ndeshjen me Atletico Madridin

Me gjashtë lojtarë tashmë jashtë fushave shkaku i lëndimit, lojtarët e Barcelonës duhet të jenë shumë të kujdesshëm në duelin ndaj Mallorcës.

Barcelona do të përballet sot (e premte) me Mallorcën në kuadër të xhiros së 28-të në elitën e futbollit spanjoll.

Në mesin e atyre që rrezikojnë seriozisht suspendimin për duelin ndaj Atleticos janë Robert Lewandowski, Andreas Christensen, Joao Cancelo dhe Oriol Romeu.

Që të gjithë këta lojtarë kanë secili nga katër kartonë të verdhë këtë sezon në La Liga, dhe në rast se ndëshkohen ndaj Mallorcës do të akumulonin pesë të tillë dhe kësisoji do të pezulloheshin për derbin e javës së ardhshme.

Sidoqoftë, një lajm i mirë për tifozët e Barçës është se në sfidën më Atletico Madridin do të mund të llogarisin në shërbimet e Ronald Araujos.

Araujo tashmë ka akumuluar pesë kartonë të verdhë dhe nuk do të paraqitet sot ndaj Mallorcës, por do të jetë i gatshëm për duelin e 17 marsit ndaj madrilenëve.

Në rast fitoreje sonte, Barcelona do të shkonte në kuotën e 61 pikëve duke zbutur kështu diferencën me Real Madridin në vetëm katër pikë, mirëpo madrilenët të dielën do të luajnë ndeshjen e tyre me Celta Vigon./Telegrafi/