Marash Kumbulla është një nga emrat që është lakuar më së shumti në këtë afat kalimtar në Serie A dhe janari mund të jetë vendimtar për të ardhmen e tij.
Napoli, Sampdoria, Cagliari edhe Fiorentina janë në ndjekje të situatës së 21-vjeçarit, teksa interesohen për një transferim të mundshëm si huazim.
Megjithatë, klubi më konkret për shërbimet e mbrojtësit të kombëtares mbetet Napoli, me të kaltrit që nuk do të kenë për disa kohë shërbimet e Kalidou Koulibalyt për shkak të angazhimit me Senegalin në Kupën e Afrikës.
Gjithsesi, për të shuar zërat ka menduar vetë Kumbulla, i cili ua ka bërë të qartë drejtuesve të Romës dëshirën për të qëndruar në kryeqytet.
Edhe pse ende nuk ka besimin e plotë të trajnerit Jose Mourinho, mbrojtësi preferon të luftojë për pozitat e tij në skuadër dhe të sigurojë një vend titullari në mbrojtjen me tre lojtarë.
Trajneri portugez aty zakonisht preferon emra si Gianluca Mancini, Cris Smalling dhe Roger Ibanez. /Telegrafi/