Katër emigrantë kanë vdekur teksa po tentonin të kalonin Kanalin Anglez nga Franca për në Britaninë e Madhe.
Incidenti ndodhi në orët e hershme të mëngjesit në brigjet e Francës dhe njerëzit për disa orë u gjendën në vështirësi për jetë në ujërat e ftohta franceze.
Siç raportohet nga mediat, 72 persona përfshirë fëmijë, u shpëtuan dhe u dërguan në spital, ndërsa katër nga ta nuk arritën të mbijetonin.
Në operacionin e shpëtimit të emigrantëve u përfshinë një varkë ndërhyrjeje e cila po patrullonte në det, një helikopter i marinës franceze, policia dhe 50 zjarrfikës.
Për shkak se incidenti ndodhi në ujërat territoriale franceze, rojet bregdetare të Britanisë së Madhe nuk kanë komentuar në lidhje me rastin.
Sekretari i jashtëm britanik, David Cameron tha se vdekjet e raportuara ishin “zemërthyese”.
“Por kjo thjesht tregon se ne duhet të ndalojmë anijet, ne duhet të ndalojmë këtë tregti të paligjshme të qenieve njerëzore”, shtoi ai. /Telegrafi/