Nxënësit në shkolla fillore “Faik Konica” në Prishtinë, do të vazhdojnë mësimin në distancë, pasi katër arsimtarë të këtij institucioni arsimor, kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.
Kështu bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në Facebook, i cili tha se në bazë të rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, mësimi me prezencë fizike do të ndërpritet për dy javë.
“Nga hulumtimi dhe mbikëqyrja e situatës epidemiologjike, IKSHPK ka bërë testimin e të gjithë arsimtarëve, katër prej të cilëve rezultuan pozitivë me COVID-19. Prandaj, IKSHPK ka rekomanduar që mësimi në shkollën ‘Faik Konica’, nga skenari ‘A’, të kaloj në skenarin ‘C’, mësimin online, për dy javë”, ka shkruar Zemaj, përcjell Telegrafi.
Ministria e Arsimit e Kosovës ka paraparë që në këtë vit shkollor, mësimi të realizohet përmes tre skenarëve.
Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore. Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë.
Viti i ri shkollor në institucionet para-universitare në Kosovë, ka filluar më 14 shtator, me prezencë fizike të nxënësve në shkolla, por duke respektuar rekomandimet për mbrojtjen nga pandemia COVID-19. /Telegrafi/