Kate Middleton ka dhuruar flokë të saj për një organizatë bamirëse që i ndihmon fëmijët me kancer. Dukeshës së Cambridge thuhet se i ka lindur kjo ide derisa po i shkurtonte flokët në Kensington Palace.
Gruaja e princit William, e cila është nënë e dy fëmijëve, ia ka dhuruar flokët organizatës “Little Princess Trust”, e cila krijon paruke për ata që vuajnë nga kanceri.
“Flokët janë dërguar duke përdorur emrin e dikujt tjetër, në mënyrë që të mos merrej vesh se ishin nga familja mbretërore, ata thjesht kanë menduar se ishte nga një femër dhuruese në rajonin e Kensingtonit”.
“Është gjë e bukur kur e mendon se një vajzë e vogël diku mban një paruke të ndërtuar nga flokët e vërteta të një princeshe. Është diçka shumë e këndshme nga Kate dhe e menduar mirë, për t’i shfrytëzuar flokët që përndryshe do të hidheshin”, ka thënë një burim për Daily Express.
Organizata bamirëse, Little Princess Trust, me bazë në Herefordshire, është themeluar në vitin 2006 nga prindërit e Hannah Tarplee, e cila ndërroi jetë në moshë pesëvjeçare nga kanceri derisa ishte duke iu nënshtruar kimioterapisë.
Kjo organizatë bashkëpunon me prodhuesit profesionalë të parukave dhe ua dhuron fëmijëve që i kanë humbur flokët e tyre gjatë kimioterapisë apo radioterapisë, dhe deri më tani ka ndihmuar mijëra fëmijë.
Medalistja olimpike Joanna Rowsell-Shand, valltarja e baletit Jennie Harrington, ish-rreshteri i SAS Chris Ryan dhe kalorësi Richard Johnson, janë mbështetësit kryesore të kësaj organizate.
Ndërsa ndër të famshmit që i kanë dhuruar flokët e tyre është edhe Harry Styles, i cili në vitin 2006 i kishte dhuruar flokët e tij. /Telegrafi/