Telegrafi

Katarit mund t’i hiqet organizimi i Kampionatit Botëror 2022, nëse zbulohet se janë blerë votat

Katarit duhet t’i hiqet organizimi i Kampionatit Botëror 2022, nëse vërtetohet se votat janë të blera, ka thënë Damian Collins, kryetari i dhomës Digjitale, Kulturore, Mediale dhe Sportive.

Ish-presidenti i UEFA-s dhe nënkryetari i FIFA-s, Michel Platini, ishte arrestuar dje nga policia në Francë, për shkak të akuzave për korrupsion në shortin e Kampionatit Botëror për 2022.

“Platini duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve në lidhje me akuzat për organizmin e Kampionatit Botëror 2022. Ai u arrestua nga polica e Francës, andaj mendoj se e meritojmë një shpjegim nga ai”, ka thënë Collins.

Michel Platini (Foto: Getty Images/Guliver)

“Nuk mund të ketë diçka më serioze se sa arrestimi i një ish-presidenti të UEFA-s për korrupsion. Kështu, ne duhet të shikojmë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe nëse është e vërtetë se votat janë blerë, atëherë organizimi duhet t’i kalojë një vendit tjetër”.

Lexo po ashtu Pas arrestimit të Michel Platini, Anglia mund ta organizojë Kampionatin Botëror 2022

“Ndoshta UEFA duhet ta ndryshojë menjëherë kandidatin për organizimin e Kupës së Botës, duke mos humbur kohë, pasi mendoj se aty ka diçka të vërtetë”, ka shtuar më tej ai.

Avokatët e Platinis kanë bërë të ditur pas arrestimit se akuzat janë të pavërteta dhe se ata janë të bindur në pafajësinë e legjendës franceze, por që në ditët në vijim pritet të qartësohet situata. /Telegrafi/