Telegrafi

Kastrati flet pasi u ndalua nga autoritetet serbe: Më pyetën pse je larguar nga Vetëvendosje dhe a e njeh Fatmir Limajn

Ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, njëherit anëtar i kryesisë së Partisë Socialdemokrate, ka treguar se është ndaluar në kufi me Serbinë për më shumë se dy orë.

Në emisionin “Five”, ai ka rrëfyer se si dy persona pa uniforma policore e kanë shoqëruar në një zyrë në kufi me Serbinë tek Dheu i Bardhë, ku është marrë në pyetje rreth një orë e gjysmë.

Kastrati u shpreh se me të hyrë në zyrë, disa persona të paunifromuar që ai dyshon se ishin pjesëtarë të shërbimit sekret serb, e kanë pyetur për situatën politike në Kosovë.

Njëra nga pyetjet që ata i kanë bërë, ka qenë se a e njeh ish-komandantin e UÇK-së, Fatmir Limaj. Një pyetje tjetër sipas Kastratit ishte se cila ka qenë arsyeja që ai është larguar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Kanë qenë disa persona pa unifroma pa identifikim, u bë e qartë se nuk mund të udhëtojë andej, sepse i dhënë leje autobusit me vazhdu. Ata kërkuan që ta marrë bagazhin, unë thash se unë vetëm dokumentet e identifikimit jo tjetër gjë”, ka deklaruar ai.

“Më kërkuan me e fikë telefonin, filluan të bëjnë pyetje politike, një pyetje ishte pse ke dalë nga LVV-ja, një pyetje tjetër është se a e njihni Fatmir Limajn. Unë refuzoja, i tregoja që i di rregullat, duhet të jetë një avokat këtu”, ka vijuar ai.

“Bënin pyetje politike, se a njeh figura politike të Gjilanit dhe Prishtinës, dhe a ke me kandidu prapë për kryetar të Kamenicës”, ka thënë Kastrati.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i raportojnë rastet e ngjashme dhe të mos frikësohen. /RTVDukagjini/