Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, sot ka deklaruar se thirrjet e opozitës maqedonase për zgjedhje të parakohshme janë të pranuara për partitë politike shqiptare.
Ai deklaroi se partitë opozitare shqiptare janë tashmë të konsoliduara dhe të gatshme për zgjedhjet e ardhshme, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Gjithçka që çon në zgjedhje fer dhe demokratike, ne jemi të gatshëm të marrim pjesë. Në këtë drejtim bëjmë thirrje që Qeveria sa më shpejtë të reflektojë, të thërrasë takim të liderëve për të arritur marrëveshje për termin për zgjedhje të parakohshme kuvendare”, tha Kasami.
Sipas tij, është më e pranueshme ekonomikisht që zgjedhjet kuvendare dhe ato presidenciale të mbahen së bashku.
“Duke pasur parasysh situatën ekonomike të shtetit dhe harxhimet për zgjedhjet, ne insistojmë të kemi një termin për zgjedhjet kuvendare dhe ato presidenciale, pasi edhe terminet e rregullta janë të afërta dhe vlerësojmë se nuk duhet të bëhen harxhime shtesë”, tha Kasami./Telegrafi/