Site icon Telegrafi

Karta e të Drejtave Themelore bashkon sërish gjyqtarët

Gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe kolegët e tyre nga Gjykata Kushtetuese, me mbështetje të Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), po marrin pjesë në punëtorinë dy ditore, me temë “Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian dhe Praktika Gjyqësore e GJEDNj-së”, e cila po mbahet në Prishtinë.

Me këtë rast, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci ka mbajtur një fjalë hyrëse, me ç’rast ka konsideruar se Karta e të Drejtave Themelore është një nga dokumentet më përmbajtësore, në kuptim të përfitimit të përvojave të reja nga ana e gjyqtarëve.

“Ne po synojmë Bashkimin Evropian, ndaj organizimi i sotëm është një hap i mirë dhe ne do të japim kontributin tonë”.

Edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, ka shprehur bindjen se kjo punëtori do të jetë e dobishme për të gjithë gjyqtarët, pasi do të shkëmbehen idetë mes gjyqtarëve dhe me profesorin Jan Bergmann.

Menaxherja e projektit nga IRZ, Nata Sanadiradze, ka veçuar rëndësinë e kësaj punëtorie, pasi trajtimi i temës rreth Kartës së të Drejtave Themelore, e përafron Kosovën me BE-në.

Bashkë me profesorin Bergmann, gjyqtarët e të dy gjykatave, po diskutojnë për dy tema kryesore, e para: Qytetaria e Bashkimit dhe Karta e të Drejtave Themelore, dhe e dyta; Rëndësia e Kartës së të Drejtave Themelore për integrimin evropian.

Me mbështetjen e IRZ-së, organizimi i punëtorive mes Gjykatës Supreme dhe asaj Kushtetuese po shënon vitin e katërt dhe pritet të vazhdojë tutje. /Telegrafi/

Exit mobile version