Telegrafi

Karim Benzema futet në histori të Real Madridit – tani para vetes ka vetëm Cristiano Ronaldon

Karim Benzema tregoi edhe një herë të enjten mbrëma se pse po shihet si legjendë e Real Madridit, duke u kthyer në një nga golashënuesit më të mirë në historinë e klubit.

Goli i tij në fitoren 6-0 të Los Blancos ndaj Levantes ishte një moment historik.

Ai gol kundër Levantes ishte i 323-ti me ngjyrat e Real Madridit, që e vendosin atë në barazim me rekordin e Raul Gonzalez, si golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e klubit.

Francezi tani ka vetëm Cristiano Ronaldon para, i cili shënoi 451 gola gjatë kohës së tij në Real Madrid.

Benzema është golashënuesi i tretë më i mirë i Real Madridit në historinë e La Liga, me 219 golat e tij, pasi Raul ka 228 gola, ndërsa Ronaldo ka gjetur golin në 312 raste.

34-vjeçari me kalimin e kohës po përmirësohet. Ai tani ka shënuar 44 gola në të gjitha garat këtë sezon, duke tejkaluar totalin e tij më të mirë të mëparshëm prej 32 golash në sezonet 2011/12 dhe 2020/21.

Lexo po ashtu Top-golashënuesit në pesë ligat kryesore evropiane

Ai ka shënuar 425 gola në karrierë (323 për Real Madridin, 66 për Lyonin dhe 36 për Francën), gjë që e bën atë golashënuesin më të mirë francez në histori, duke tejkaluar totalin e Thierry Henry prej 411.

Benzema, rrugës për 400 gola

Benzemas iu deshën pesë vjet e pesë muaj nga debutimi i tij në vitin 2009 për të shënuar golin e tij të 100- të me Real Madridin, i cili erdhi kundër Real Betis në janar 2014.

Ai e dyfishoi numrin më 7 nëntor 2018 kundër Viktoria Plzen në Ligën e Kampionëve.

Atij iu deshën tre vjet e dy muaj për të arritur 300 gola, në ndeshjen me Valencian më 8 janar 2021, dhe ai tani po shikon drejt numrit magjik 400.

Rekord historik i paraqitjes

Përveç arritjeve të tij të jashtëzakonshme të golave, ai arriti numrin e 603 paraqitjeve për Real Madridin kundër Levantes.

Ai tejkaloi 601 paraqitjet e Fernando Hierros kundër Manchester Cityt dhe tani është i gjashti në listën e lojtarëve me më shumë paraqitje në të gjitha kohërat për Real Madridin.

Francezi është pas Santillana (645), Sergio Ramos (671), Manolo Sanchis (710), Iker Casillas (725) dhe Raul (741).

Ai ka bërë 414 paraqitje në La Liga, 122 në Ligën e Kampionëve, 44 në Copa del Rey, 11 në Superkupën e Spanjës, tetë në Kupën e Botës për Klube dhe 4 në Superkupë. /Telegrafi/