Site icon Telegrafi

Karaxhiqit 40 vjet burgim, fajtor për gjenocidin në Srebrenicë (Video)

Gjykata e Hagës ka dhënë vendimin e shkallës së parë për Presidenti i parë i Republikës Serbe dhe themelues i SDS, Radovan Karaxhiç mbi akuzat për krime lufte dhe gjenocid në Bosnjë dhe Hercegovinë nga viti 1992 deri 1995.

Tribunali i Hagës e ka shqiptuar aktgjykimin ndaj Radovan Karaxhiqit për krime në Bosnjë e Hercegovinë.

Ai është dënuar me 40 vjet burgim dhe është shpallur fajtor për gjenocidin në Srebrenicë dhe për rrethimin e Sarajevës.

Ai u shpall fajtor për 10 nga 11 aktakuzat që i ngarkoheshin.

“Më shumë se 330.000 faqe në dokumentin që shoqëroi gjyqin e Radovan Karaxhiqit”, ka thënë kryesuesi i Gjykatës në hyrje të leximit të aktgjykimit.

Karaxhiq që u arrestua në korrik të vitit 2008 në Beograd, pas 11 vjet arratisjeje, u shpall fajtor për gjenocid në kohën kur ai kontrollonte forcat serbe që masakruan 8 mijë burra dhe djem të rinj në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, pasi morën nën kontroll atë qytet që ishte shpallur “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Ish psikiatri 70 vjeçar, ende në gjendje të mirë shëndetësore, që dikur drejtonte të vetëshpallurën Republikë e Serbëve të Bosnjës, mbante titullin e komandantit suprem të forcave të saj të armatosura.

I vetmi zyrtar më i lartë që është përballur me Gjykatën e Hagës për krime lufte, ishte ish presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, cili vdiq në Hagë dhjetë vjet më parë para se të përmbyllej gjykimi kundër tij për krime lufte e gjenocid ne Bosnjë, Kroaci dhe në Kosovë.

Ratko Mladiq, gjenerali që komandonte forcat e serbëve të Bosnjës, është i fundit i të arrestuarve për masakrën e Sebrenicës.

Masakra e Srebrenicës dhe rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës, që ishin pjesë e akuzave kundër Karaxhiqit, ishin zhvillimet që kthyen botën kundër serbëve dhe nxitën sulme ajrore të NATO-s që çuan në përfundimin e luftës me marrëveshjen e arritur ne Dayton të Ohios në Shtetet e Bashkuara, në nëntor të vitit 1995. /Telegrafi/

 

Gjykata e Hagës e shpall Radovan Karaxhiçin fajtor për gjenocid dhe e dënon me 40 vjet burg.

Posted by VOA – Zëri i Amerikës on Thursday, March 24, 2016

 

 

Exit mobile version