Për ndeshjet me Ishujt Faroe është deklaruar edhe kapitenia e Kosovës, Leonora Demaj. Ajo për një kohë të gjatë luan në Danimarkë, me shumë sukses dhe i njeh zhvillimet rreth hendbollit në Ishujt Faroe.
Kosova luan me Ishujt Faroe në fazën e parë kualifikuese për Botërorin 2023. Ndeshjet luhen në nëntor.
Ndeshja e kthimit është në Kosovë dhe kjo, sipas kapitenes sonë, është përparësi. Demaj për shkak të një lëndimi nuk ka luajtur gjatë për Kosovën, që nga viti 2019.
Ajo do të kthehet në ndeshjet e nëntorit. Me të në përbërje, Kosova pritet të jetë dukshëm më e fortë.
“Ishujt Faroe kanë përparuar shumë në vitet e fundit. E ka lojën e shpejtë dhe fizikisht lojtaret e Ishujve Faroe janë të forta. I kanë disa lojtare shumë të mira që treguan lojëra të mira kundër Danimarkës së fundi”.
“Shpresoj të jemi komplet dhe të mos kemi lëndime të tjera. Shpresoj që sidomos si vendase në Prishtinë t’i mposhtim. Nuk është lehtë por shpresoj t’ia dalim”, ka thënë Demaj.