Kapiteni i Golden Eagle Yllit, Gëzim Morina ka thënë se skuadra e tij do të luajë për fitore në Mitrovicë, ku do ta zhvillojnë ndeshjen e pestë finale të “Play-Offit” të Superligës së Kosovës në basketboll.
Seria e finaleve qëndron në rezultat të barabartë 2:2. Skuadra që regjistron tri fitore e para shpallet kampione.
Ndeshja e pestë do të zhvillohet në palestrën “Minatorii” të Mitrovicës, raporton KosovaPress.
Para finales së pestë, kapiteni i Yllit tha se në Mitrovicë do të shkojnë vetëm për fitore.
“Edhe kësaj sezone po i vjen fundi. Ndeshja e pestë finale, e 11-ta në total me Trepçën sivjet. Mendoj që të dy skuadrat kemi treguar lojë të mira dhe gjithë tifozët kanë pasur mundësi të kënaqen me ndeshjet. Normal që në lojën e fundit shkojmë në Mitrovicë për fitore, shpresoj të fitojë më i miri. Forca Ylli”, tha Morina.