Site icon Telegrafi

Kapiteni Gjimshiti: Fitore e gjithë shqiptarisë, tani të sigurojmë vendin e parë

Pas kualifikimit në Euro 2024, në konferencën për shtyp pas ndeshjes ka folur edhe kapiteni i kombëtares kuqezi, Berat Gjimshiti.

Gjimshiti i cili është jo vetëm një futbollist i rëndësishëm për Shqipërinë, por edhe një karakter për t’u marrë shembull nga të gjithë.

“Besoj se të gjithë e kemi merituar. Nuk e fus veten para ekipit. Shpresoj që nuk do të bëhem kurrë ashtu. Falënderimi i shkon gjithë ekipit, stafit, FSHF-së, tifozëve. I kemi më të mirët në botë, në Moldavi kishin ardhur shumë për të na përkrahur. Fitore e gjithë shqiptarisë”, ka thënë fillimisht kapiteni i kombëtares shqiptare.

Lexo po ashtu Broja i bashkohet festës kuqezi: Jemi në Euro 2024

Për Shqipërinë kjo do të jetë hera e dytë që do të jetë pjesëmarrësë në një Kampionat Evropian, pasi paraprakisht kishte marrë pjesë në vitin 2016.

Gjimshiti u shpreh optimist se Shqipëria mund të bëjë më mirë se sa në vitin 2016, duke marrë parasysh cilësinë e ekipit.

“Cilësitë dhe mundësitë i kemi. Ndoshta sot nuk ishte ndeshja më e mirë, por presioni ishte shumë i lartë. Do të bëjmë shumë mirë në Gjermani, por kemi kohë të mendojmë. Të festojmë pak, të luajmë ndeshjen e radhës dhe të marrim vendim e parë, sepse e meritojmë”, deklaroi ai.

Lexo po ashtu Mes lotësh dhe emocionesh, Armand Duka uron të gjithë shqiptarët për kalimin në Euro 2024

Për fund, Gjimshiti refuzoi të përmend ndonjë kombëtare me të cilën do të donte të ballafaqohej në Gjermani.

“Nuk e kam menduar fare. Gjëja më e rëndësishme ishte kualifikimi, ka kohë akoma për të menduar për shortin”, përfundoi 30-vjeçari./Telegrafi/

Exit mobile version