Sekuestrohen doza kokaine, 8,000 euro dhe 600,000 lekë, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Një 66-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi gjatë kontrollit i janë gjetur disa doza kokaine, gati për shitje dhe para të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kapë kapur në Shkozë dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin F. B., 66 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, të ndarë në doza, gati për shitje, 8,000 euro dhe 600,000 lekë [6,000 euro] të rinj, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike”, njofton policia.
Po ashtu është proceduar penalisht bashkëshortja e tij për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
“Në vijim të veprimeve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëshorten e 66-vjeçarit, shtetasen Sh. B., pasi sapo ka parë shërbimet e Policisë që kishin shkuar për kontroll, ka hedhur nga ballkoni i banesës, disa doza lënde të dyshuar narkotike kokainë”, sqaron policia. /Telegrafi/