Policia Kufitare ka arritur të arrestojë një shtetas nga Presheva në pikën kufitare të Morinës pasi është kapur me rreth 5.1 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë.
42-vjeçari që transportonte lëndën narkotike është arrestuar në kuadër të masave të marra për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet pikave të kalimit kufitar, ka njoftuar policia.
Sipas njoftimit, shtetasi nga Presheva po transportonte një sasi lënde narkotike në drejtim të Shqipërisë.
“Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në një çantë iu gjetën 5 kilogramë e 107 gramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 4 aparate celulare”, ka shtuar policia.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin A. A. alias A. J., 42 vjeç, banues në Preshevë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar. /Telegrafi/