Çmimet e larta të karburanteve duket se ka nxitur kontrabandën në Shqipëri.
Policia e Elbasanit ka njoftuar sot arrestimin e shtetasit Y. K., 53 vjeç, banues në fshatin Qukës, Prrenjas pas informacioneve se ku shtetas fuste hidrokarbure kontrabandë në vend.
“Gjatë kontrollit në magazinën e subjektit (bar-restorant), në pronësi të këtij shtetasi, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1,250 litra karburant, që dyshohen se janë futur kontrabandë”, ka shtuar policia.
Sipas policisë, nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka futur kontrabandë sasi hidrokarburesh në vendin tonë, të cilat i ka depozituar në ambientet e subjektit të tij dhe më pas i ka tregtuar duke fshehur të ardhurat.
Bordi i Transparencës në Shqipëri në mbledhjen e së premtes vendosi që çmimi tavan i shitjes së naftës të jetë 219 lekë [1.79 euro] për litër, në krahasim me 228 lekë [1.86 euro] për litër një ditë më parë.
Çmimi i benzinës gjithashtu ka pësuar një rënie të lehtë në 205 lekë [1.68 euro] për litër, në krahasim me 208 lekë [1.7 euro] për litër.
Ndërkohë, i pandryshuara mbetet çmimi i gazi të lëngshëm në 115 lekë [0.94 euro] për litër. /Telegrafi/