Site icon Telegrafi

Kapen emigrantë të paligjshëm të fshehur në bagazhin e veturës në Elbasan, arrestohen 2 persona

Dy persona janë vënë në pranga nga policia e Elbasanit, pasi janë kapur duke transportuar 7 emigrantë në dy makina.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjetet, 4 aparate celulare dhe një sasi parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme, ka njoftuar policia në Facebook.

Nga video e publikuar nga policia shihet se si emigrantët e paligjshëm janë futur në bagazhin e makinës dhe ngjeshur me njeri-tjetrin në ulëset e pasme.

Polia ka njoftuar se bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin e koduar “Danubi 7”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve: N. M., 36 vjeç, banues në Pogradec, dhe L. L., 34 vjeç, banues në Korçë.

36-vjeçari u kap nga shërbimet e Policisë, në fshatin Xibrakë, Librazhd, duke transportuar me një automjet, 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës 50-150 euro për person.

Ndërsa 34-vjeçari u kap nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Labinot-Elbasan, duke transportuar me një automjet, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

“Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, njofton policia. /Telegrafi/

Exit mobile version