Policia ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim një të tretë, të akuzuar prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Policia sekuestroi 6 thasë me kanabis, në total 60 kg.
Në pranga ranë K. U., 35 vjeç, banues në Krujë dhe A. R., 26 vjeç, banues në Mat. Ndërsa në kërkim u shpall një 28-vjeçar, i dyshuar bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.
Njëri prej të arrestuarve po transportonte lëndën narkotike me makinë, ndërsa tjetri monitoronte rrugën ku do kalonte shoku.
Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se këta shtetas po transportonin një sasi lënde narkotike, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në Luz, Fushë Krujë, automjetet me të cilat po qarkullonin këta shtetas.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues shtetasin K. U., në pjesën e pasme, shërbimet e Policisë kanë gjetur 6 thasë me lëndë të dyshuar cannabis sativa, me peshë totale 60 kilogramë. Automjeti tjetër drejtohej nga shtetasi A. R., i cili kontrollonte rrugën dhe njoftonte shtetasin K. U., nëse kishte prezencë të Policisë.
Në vijim të veprimeve, u shpall në kërkim shtetasi S. D., 28 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 automjetet, 2 celularë dhe një shumë parash.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. /Telegrafi/