Policia uruguaiane ka sekuestruar mbi 400 kilogramë kokainë në kuadër të aksionit “Virtus”. Në mesin e të arrestuarve janë edhe dy shtetas të Malit të Zi, ka konfirmuar policia uruguaiane për “El Observador”.
Droga vinte nga Bolivia dhe kishte si destinacion Evropën, njoftoi Prokuroria.
Operacioni përfshinte bastisje në Montevideo, San Jose dhe Rio Negro, njoftoi më herët Telemundo. Në këtë organizatë kriminale ishin të përfshirë 18 persona të nacionaliteteve të ndryshme, ndërsa aktualisht janë arrestuar 15, shumë prej të cilëve janë të huaj, raporton “elobservador.com.uy”.
Mes 15 të arrestuarve janë edhe dy shtetas malazezë, të cilët dyshohet se janë anëtarë të një klani ballkanik, siç raporton “Telemundo”, konfirmuan për “El Observador”, burime pranë hetimit.
Incautaron más de 400 kilos de cocaína en una casa de Pajas Blancas y hay 15 detenidos •https://t.co/34qhQHzyIV• pic.twitter.com/5o5U4JdYPP
— EL PAÍS (@elpaisuy) March 24, 2023
“Klani ballkanik është një rrjet i madh i krimit të organizuar që vepron në Evropë, i përbërë nga shtetas të Serbisë, Malit të Zi dhe Kroacisë”, thuhet në tekst.
Autoritetet, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme për Ndalimin e Trafikut të Drogës, sekuestruan katër automjete.
Ndryshe, në raportin e vitit 2022 për Malin e Zi, Komisioni Evropian ka vënë në dukje rritjen e rasteve në të cilat shtetas malazezë janë arrestuar për kontrabandë droge, veçanërisht kokainë.
Një raport i fundit nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) deklaroi se kriminelët nga Mali i Zi morën pjesë në kontrabandën ndërkombëtare të më shumë se 30 tonëve kokainë, të cilat u kapën nga policia në mbarë botën nga viti 2017 deri në vitin 2021. /Telegrafi/