Telegrafi

Kaosi nëpër rrugët e Çairit, institucionet nuk e pranojnë fajin (Video)

Problemet në trafikun urban në rrugët kryesore të Çairit po vazhdojnë, ndërsa nga komuna thonë se kanë gati një projekt të ri, për të evituar këtë kaos, që dy ditë më parë mori jetën e një vajze tre vjeçe.

Rami Qerimi, sekretari i kësaj komune po e hedh fajin edhe tek shoferët e makinave dhe taksitë, që sipas tij, po e krijojnë këtë kaos.

“Problemi kryesor paraqitet te qytetarët dhe respektivisht te vozitësit, më vjen keq që them por janë ndonjëherë të pa pandërgjegjshëm, sepse e bllokojnë koriste e rrugës dhe ndalen vend e pa vend dhe krijohet trafiku i madh. “Momentalisht kemi edhe një pjesë e taksistëve, të cilët parkohen në atë pjesë të bulevardit dhe po e bllokojnë rrugën”, tha për TV21 Rami Qerimi, Sekretar i Komunës Çair.

Se si do t’ia dalin me këtë situatë të krijuar, nga kjo komunë paraqesin planin e tyre.

“Zgjidhje që do të jetë afatgjate është zgjerimi komplet i rrugës, më pas me vendosjen e ishujve ndërmjet rrugës dhe shpresojmë se nga viti i ardhshëm të filloj me këtë projekt”, shtoi Qerimi.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se bulevardi kryesor “Cvetan Dimov” është zgjeruar dhe apelojnë që këmbësorët të përdorin urën e vendosur për kalim mbitokësor.

“Qyteti i Shkupit tashmë ka bërë ndërhyrje në trafik, gjegjësisht ka kryer punime në atë pjesë të bulevardit “Cvetan Dimov”. Vitin e kaluar mbaroi zgjerimi, pikërisht tek shkolla, aty është bërë edhe kalimi mbitokësor për këmbësorët, që për fat të keq nuk po shfrytëzohet nga qytetarët”, u shpreh Nedelço Kërstevski, Zëdhënës i Qytetit të Shkupit.

Nga qyteti i Shkupit thonë se qytetarët duhet të shfrytëzojnë kalimin mbitokësor, por edhe trotuaret e kalimet e tjera. Megjithatë shumë qytetarë thonë se mungojnë këto.

“Këtu nuk ka semafor, nëse dua të blej diçka në anën tjetër un e rrezikoj jetën time.”

“Ekzistojnë zebrat e bardha, por nuk ka ngjyrë. Me një fjalë mungon siguria”, thanë disa banore.

Nga MPB nuk ka përgjigje se përse nuk po shtohen masat e kontrollit dhe mbajtjen e rregullit të trafikut në rrugët e kësaj komune.