Site icon Telegrafi

Kaos në Kili, për pesë ditë kanë humbur jetën 15 persona – policia përdor top uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstruesit

Qeveria e Kilit ka njoftuar sot se 15 persona kanë humbur jetën gjatë pesë ditëve të fundit, ku ka pasur demonstrata të dhunshme e ndezje zjarri që kanë quar në paralizimin e vendit, duke ia zbehur imazhin pasi konsiderohej si një vend i qëndrueshëm në Amerikën Latine.

Në 16 rajone të ndryshme të Kilit vazhdon të jetë në fuqi gjendja e jashtëzakonshme, kurse në disa tjera ushtria ka vënë orën policore për herë të parë nga viti 1990, kur i është dhënë fund diktaturës ushtarake që sundoi për 17 vite, transmeton Telegrafi.

Policia sot ka shpërndarë demonstruesit me topa uji dhe gaz lotsjellës që kishin dalë në disa rrugë të kryeqytetit Santiago, ku vazhdimisht hidhnin gurë mbi policinë dhe ushtrinë që kishin dalë për të mbrojtur qytetarët që pritnin në radhë të gjata para marketeve.

Kujtojmë që shumë markete, stacione të metrosë dhe banka janë djegur, dëmtuar apo plaçkitur gjatë vikendit, kurse qytetarët kanë raportuar rastet kur edhe kanë pasur problem të tërheqin para nga bankomatet.

Dhuna shpërtheu kur çmimet e biletave të metrosë u shtrenjtuan për katër për qind, e studentët në shenjë proteste kërcyen mbi aparatet që regjistrojnë biletën dhe lejojnë futjen nëpër metro.

E presidenti kilian Sebastian Pinera, dje ka deklaruar se është në “luftë kundër armikut të pamëshirshëm  që nuk respekton askënd dhe që është i gatshëm për dhunë e krime”. /Telegrafi/

Exit mobile version