Telegrafi

Kanosi dhe përndoqi një grua, arrestohet 21-vjeçari në Vlorë

Një 21-vjeçar është arrestuar nga policia e Vlorës, pasi përndoqi dhe kanosi nëpërmjet telefonit një 38-vjeçare.

Policia bën me dije se i riu i kishte shkaktuar pasiguri dhe ankth gruas në fjalë duke e përndjekur vazhdimisht. Madje 21-vjeçari e kishte kanosur atë se do t’i publikonte online disa foto intime.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të tyre, pas kallëzimit nga një 38-vjeçare se një shtetas i kishte shkaktuar ankth dhe pasiguri, pasi e kishte përndjekur dhe e kanoste se do të publikonte disa foto intime të saj, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen dhe arrestimin e këtij shtetasi.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale është kapur dhe ndaluar shtetasi G. M., 21 vjeç, banues në Vlorë”, thuhet në njoftimin e policisë.