Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.S për shkak se kishte kanosur një deputet të Kuvendit të Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.S., për shkak të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, transmeton Telegrafi.
Sipas aktakuzës, më 15.12.2022 në Prishtinë, pasi i dëmtuari A.H., deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kishte postuar në profilin e tij në rrjetit social “Facebook” mendimin e tij për zhvillimet politike në vend, i pandehuri i lartcekur, me qëllim të frikësimit, e përmes llogarisë së tij personale në rrjetin social “Facebook”, i shkruan koment që lidhet me punën apo me pozitën e të dëmtuarit dhe e kanosë seriozisht me fjalët: “Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh”, ku me këtë rast tek i dëmtuari shkakton ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetën, andaj me këtë i pandehuri kryen veprën penale të kanosjes. /Telegrafi/