Telegrafi

Kane pritet të qëndrojë në Tottenham dhe Eriksen mund të ribashkohet me Spurs

Harry Kane thuhet se do të qëndrojë në Tottenham Hotspur këtë verë për shkak të lëvizjes së Manchester City për Erling Haaland, ndërsa Christian Eriksen mund të rikthehet te klubi londinez.

City duket se është në prag të sigurimit të nënshkrimit të Haaland, gjë që ka reduktuar më tej opsionet e kapitenit të Anglisë këtë verë.

Sipas mediumit The Times, Kane ka më shumë gjasa të qëndrojë në veri të Londrës sezonin e ardhshëm.

Tottenhami është aktualisht favorit për të përfunduar i katërti në Ligën Premier dhe për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Si rezultat, ky faktor, krahas mungesës së opsioneve alternative, ka bërë që Kane të vendosë të rivlerësojë të ardhmen e tij. Ai do të mbushë 29 vjeç këtë verë dhe do të ketë edhe dy vite kontratë me Spurs.

Manchester United ishte shfaqur si kandidatë potencialë për nënshkrimin e tij, por shanset e tyre për nënshkrimin e tij vareshin nga emërimi i Mauricio Pochettinos dhe tani duket se do të rekrutojnë Erik ten Hag në vend të tij.

Lexo po ashtu Man Utd identifikon anglezët Kane dhe Rice si transferime ëndrrash gjatë verës

Kane gjithashtu nuk ka gjasa të shkojë jashtë vendit, duke qenë se ai i ka vendosur vetes si objektiv thyerjen e rekordit të Alan Shearer prej 260 golave ​​në Ligën Premier, dhe aktualisht është i pesti në listën e të gjitha kohërave me 178 gola.

Ai gjithashtu synon të bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e Tottenham, me 28-vjeçari që aktualisht ka 243 gola në të gjitha garat dhe synon të mposhtë rekordin e Jimmy Greaves prej 266 golave.

Synimet e Spurs në mesfushë

Tottenham po kërkon të forcohet në mesfushën qendrore në afatin kalimtar të verës dhe po monitoron Christian Eriksen të Brentford dhe Youri Tielemans të Leicester City.

Eriksen nënshkroi një marrëveshje me Brentford në janar deri në fund të sezonit dhe ai mund t’i bashkohet Tottenhamit këtë verë.

Mesfushori danez kaloi shtatë vjet në veri të Londrës nga viti 2013 deri në vitin 2020 dhe ishte pjesë thelbësore e skuadrës së Pochettinos, e cila arriti në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2019.

Sa i përket Tielemans, kontrata e tij me Leicesterin skadon në verën e vitit 2023 dhe klubi është i përgatitur ta shesë atë për 25 milionë funte në afatin e ardhshëm të transferimeve. /Telegrafi/