Harry Kane ka pranuar se Cristiano Ronaldo e ka shtuar presionin ndaj tij që të shënojë gola në ndeshjen e Anglisë kundër Tunizisë në kuadër të xhiros së parë të Grupit G.
Superylli portugez e nisi Kampionatin Botëror me një het-trik kundër Spanjës në barazimin prej 3-3, të vlefshëm për Grupin B.
Edhe pse paraqitja e CR7 nuk mjaftoi për fitore, ai ia doli që t’ia siguronte një pikë përfaqësueses së tij dhe njëherësh të bëhet favorit për golashënuesin më të mirë të këtij Botërori.
“Natyrisht, ai më ka vënë paksa në presion. Është një lojtar fantastik, i cili zhvilloi një ndeshje fantastike”.
“Shpresoj ta shënoj një het-trik dhe të barazohemi (me gola). Mirëpo, nuk është diçka për të cilën do të mendoj deri më vonë gjatë turneut. Duhet të përqendrohemi te skuadra”, ka deklaruar Kane.
Sulmuesi i Tottenham Hotspur do të jetë kapiten i Anglisë në ndeshjen e të hënës që do të shënojë përpjekjen e parë të Tre Luanëve për ta kaluar fazën grupore.
Belgjika dhe Panamaja janë dy skuadrat tjera që bëjnë gara në Grupin G. /Telegrafi/