Natasha Kandiq, drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, ka thënë se barrikadat në veri të Kosovës duhet të hiqen. “Nëse personi që i ka vendosur fizikisht nuk do ta bëjë, atëherë KFOR-i duhet ta bëjë këtë, me mbështetjen politike të Presidentit të Serbisë, i cili me këmbëngulje pretendon se nuk e di se kush i ka vendosur”, tha Kandiq.
Duke reaguar ndaj thirrjes së kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, që, siç tha ajo, organizatat e shoqërisë civile të ngrejnë zërin për situatën në Kosovë, duke thënë se situata atje është “në prag të konfliktit të armatosur”, Kandiq thotë se presidenti i Serbisë, kryeministrja dhe kryetari i Kuvendit Popullor të Serbisë duhet të ndalojnë me deklarata dhe veprime jashtë njohurive publike, me të cilat inkurajojnë grupet dhe partitë ekstremiste të mblidhen për të shkuar në front.
“Mos i çmendni qytetarët, veçanërisht serbët në Kosovë për kthimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë së Serbisë në Kosovë, ndaloni me lojërat e rrezikshme politike – braktisja e institucioneve të Kosovës, ngrirja e mandateve, persekutimi i serbëve të Kosovës që nuk pajtohen me keqpërdorimet e institucionit të deputetëve. Largimi nga skena publike i drejtorit të zyrës për Kosovën, i cili me retorikën e tij helmuese turpëron çdo qytetar të denjë të Serbisë, do të ndihmonte në qetësimin e situatës. Prioritet është inicimi i një debati ekspertësh për propozimin gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pa pjesëmarrjen e ‘patriotëve politikë’”, thekson Kandiq për “Danas”, transmeton Telegrafi.
Sipas Kandiqit, kryeministri i Kosovës e ka obligim që të nisë pa vonesë procesin e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara.
“Ai bëri punë të mira për të eliminuar diskriminimin e Republikës së Serbisë ndaj shqiptarëve, kishte të drejtë të kërkonte respektimin e simboleve të Kosovës për të gjithë ata që jetojnë në atë vend, por tani le të tregojë se po lufton njëlloj për mirëqenien të serbëve dhe të joshqiptarëve të tjerë”, përfundoi Kandiq
Ditëve të fundit, Qeveria e Kosovës ka mohuar disa informacione që kanë shpërndarë zyrtarë dhe media të ndryshme në Serbi.
Pretendimet se Qeveria e Kosovës po përgatit dërgimin e forcave speciale “për të përndjekur” serbë nga pjesa veriore e vendit,janë hedhur poshtë kategorikisht.
Qeveria e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i ndjekin njoftimet e institucioneve të Kosovës dhe “të mos bien pre e dezinformimit të grupeve kriminale”.
Se kur dhe si do të mund të hiqen barrikadat, nuk është e qartë.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë se i kanë kapacitetet e nevojshme për t’i hequr ato, por se janë duke i dhënë kohë KFOR-it që ta bëjë këtë në mënyrë paqësore.
KFOR-i ka thënë se po monitoron me kujdes situatën në veri të Kosovës dhe se misioni ka aftësi dhe personel për të siguruar lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se barrikadat do të largohen kur Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. /Telegrafi/